Në Vlorë, në kuadrin e 94-vjetorit të Pavarësisë, Qendra Mbarëkombëtare e Koleksionistëve Shqiptarë hapi në Galerine e Arteve nga data 26-28 Nëntor 2006, ekspozitën e 14 koleksionistëve. Për herë të parë u ekspozuan 5 flamuj të rrallë. Ata që u përkasin viteve 1910, 1912 ishin të vjetëruar, por vlerat e jashtëzakonshme që mbartin dallohen qartë, tre të tjerë ishin të vitit 1920. Në stendat e ekspozitës qëndronte dhe një dokument origjinal i Shpalljes së Pavarësisë, sipas Lef Nosit, me mbishkrimin e vitit 1937, bashkë me të edhe firmëtarët atdhetarë që morën pjesë në Kuvendin Kombëtar më 12 Nëntor 1912. Disa vepra origjinale të rilindësve shqiptarë, që nga Naim Frashëri, Asdreni e Vaso Pasha, por edhe shumë vepra të rralla mbi historinë e Pavarësisë Shqiptare zunë vend të veçantë në Galerinë e Arteve në Vlorë. Të gjitha këto thesare janë pjesë e arkivave të rralla të 14 koleksionistëve të njohur shqiptarë qe aderojnë në QMKSH si: Shpëtim Sala, Kristaq Jorgji, Niko Xhara, Vasil Xhitomi, Vangjo Ilo, Emona Boçe, Viktor Koliqi, Gazmend Bakiu, Niko Kotherja, Adrian Pepa, Ylli Skënderi, Shkelqim Gjocuka, Tonin Thaçi, Adrian Seda dhe Jorgji Bello.

Një set fotografish, të papublikuara ndonjëherë, të veçanta për nga realizimi, por edhe pse mbartin secila nga një histori më vete, ishin pjesë e këtij ekspozimi. Janë të Ismail Qemalit, fotografi të rralla të Isa Boletinit, apo edhe të Abdyl Frashërit, që i përkasin koleksionit të Shpëtim Salës, si një ndër koleksionet e trashëguara prej disa brezash. Aty u ekspozuan edhe seritë e para filatelike të Vlorës që në ditën e parë të vitit 1912. Numizmatika e kohës, me monedha dhe kartëmonedha të rralla si p.sh. tre të tilla të viteve ’20 të shekullit të kaluar. Një botim tematik i veçantë (Nëntor 2006) i’u bë i njohur vizitorëve të ekspozitës. Në të ishin publikuar: Flamuri Kombëtar Shqiptar i vitit 1912, Flamuri i sotëm, dokumenti origjinal i Shpalljes së Pavarësisë (sipas Lef Nosit më 1937) përfshi një foto të firmëtareve dhe Himni i Flamurit. Në këtë kuadër, në Vlorë u organizua dhe një bisedë e hapur me pjesëmarrjen e studiuesve dhe koleksionistëve, me temë: “Vlerat e flamujve relike”, ku morën pjesë: studiuesi mirënjohur Jaho Brahaj, studiuesi Parim Kosova nga Prizreni, studiuesi Bardhosh Gaçe, etj.

Categories: EKSPOZITA